You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SI TË ZHDUKNI NË 1 MUAJ NJOLLAT KAFE NË DUAR (EKSKLUZIVE)

SI TË ZHDUKNI NË 1 MUAJ NJOLLAT KAFE NË DUAR (EKSKLUZIVE)

© Lorena Stroka

Duke qenë se vizitorët e faqes janë relativisht të rinj në moshë, pra, sipas statistikave nuk i kalojnë të 40-at, mundohesha që prurjet në faqe  t’i përshtateshin kësaj grupmoshe. Mirëpo, pas një bisede të gjatë që kisha me disa zonja mbi 50 vjeç, në shtëpinë e shoqes sime (Fjorit), kuptova se disa prej tyre kishin “ankesa”, më thanë se pse publikoj receta vetëm për moshat e reja dhe jo ato më të thyera.  Ju premtoj se nga dita e sotme në faqe do të postohen rregullisht receta të veçanta dhe për ju zonja të nderuara… që më ndiqni.

Sot, do të flasim për një nga problemet më të shpeshta sa të femrave, po aq dhe meshkujve mbi 50 vjeç, për trajtimin e njollave ngjyrë kafe në kurrizin e duarve. Ekspozimi i gjatë në diell, moskujdesja e lëkurës dhe keqpërdorimi i produkteve mbrojtëse kontribuojnë në përkeqësimin e gjendjes.

Si fillim do t’ju rekomandoja:

1. Të bëni 1-2 herë në javë peeling në duar.

2. Të aplikoni 5 herë në ditë krem hidratues ose nga 2 pika vaj ulliri (në duar).

Për recetën MREKULLIBËRËSE do të nevojiteni:

5 lugë gjelle vaj gruri

4 kapsula vitamine E

10 pika vaj esencial limoni

Vitaminë A në tub (e gjeni në farmaci)

Vitaminë B në tub (e gjeni në farmaci)

5 pika kolagjen

5 pika elastin

Përgatitja:

Së pari, kapsulat e vitaminës E hidhini në një filxhan me ujë të vakët ashtu siç janë, në mënyrë që t’i boshoni më lehtë. Në një vazo të errët e të sterilizuar zbrazni 1/4 e çdo tubi me vitamina A dhe B. Në vazhdim, shtoni vitaminën E, vajin esencial dhe përziejini mirë.

Përdorimi:

Çdo mbremje aplikoni një sasi të vogël të përzierjes në pjesët e sipërme të duarve dhe bëni masazh të lehtë derisa të përthithet nga lëkura. Pastaj vishni dorashka dhe shtrihuni për gjumë. Kur të vëreni përmirësim gradual të njollave, reduktoni përdorimin e kremit, domethënë mos e përdorni më ditë për ditë, por çdo 2-3 ditë. Dhe kur të zhduken plotësisht, përdoreni vetëm 2 herë në muaj si kurë bukurie, gjithmonë në darkë, sepse përmban vitaminë A dhe vaj esencial limoni./AlbStroka.com/

Ju uroj nga zemra të kaloni një mbremje sa më frymëzuese…

 © AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top