You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » JA ÇFARË BËJ UNË PËR PASTRIMIN E LËKURËS ( RECETA EKSKLUZIVE)

JA ÇFARË BËJ UNË PËR PASTRIMIN E LËKURËS ( RECETA EKSKLUZIVE)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Unë që thoni ju vajza, nuk shkoj kurrë në Sallone Bukurie apo Qendra Estetike. Dhe e dini pse? Sepse nuk u kam asnjë lloj besimi. Mos mendoni se hilera bëhen vetëm në Shqipëri, njëlloj ndodh edhe këtej. Do të më duhej një ditë e tërë që t’ju shtjelloja të gjitha ato që kam dëgjuar se ndodhin brenda ambienteve të tilla. Vajza që kanë shkuar me flokë dhe që për mungesë profesionalizmi kanë ikur tullace, të tjera që kanë shkuar për peeling dhe janë infektuar në të tërë trupin, rastet janë nga më të ndryshmet… Shumica e atyre që kanë sallone të tilla nuk janë profesionistë të mirëfilltë, thjesht kanë mësuar pesë gjëra dhe shfrytëzojnë të gjorat gra që e lënë rrogën atje. Por, më duhet të pranoj se kanë një aftësi të veçantë komunikimi, dinë si të të lajkosin, sapo të shikojnë të  hidhen në qafë duke të thënë: “O zemër, o shpirt, o yll sa e mirë që je bërë, kur të kesh kohë, kalo andej nga qendra jonë se kemi sjellë disa gjëra të reja… do të pëlqejnë shumë. Ika, ika se jam shumë e zënë tani, shihemi më vonë, të presim“. Eh, siç e shihni nuk është dhe kaq e vështirë të shtosh klientelën, mjafton pak diplomaci.

Falë dëshirës dhe durimit që kam patur për të lexuar (se sa kalon koha, vërej se po e humbas, sidomos DURIMIN), kam arritur të mësoj shumë gjëra lidhur me estetikën. Me pak fjalë, kujdesem vetë për lëkurën time, duke ditur dobësit  e mia, di dhe si t’i trajtoj. Kostoja në këto raste mund të jetë më shtrenjtë, pasi nuk blej gjëra me shumicë siç mund të bëjë një qendër estetike, por të paktën jam e sigurtë për vërtetësinë dhe efektshmërinë e tyre.

Sot, do të flasim për scrub-et (pastrimin e lëkurës) në kushte shtëpie. Përbërësit që unë përdor janë krejtësisht  natyrorë dhe pa kimikate (shtesa ushqimore, shije artificiale, stabilizantë etj.).  Çdo scrub është i përshtatshëm për trajtime të ndryshme. Ka shumë lloje scrub-esh (për luftim celuliti, hidratim, forcim lëkure etj., etj.). Më poshtë po ju listoj disa receta PERSONALE në kushte shtëpie:

Scrub trupi me kokërra kafeje

Ky scrub është i përshtatshëm për luftimin e celulitit dhe tonifikimin e lëkurës. Merrni 1 filaxhan (në madhësi mesatare) me kokërra kafeje  dhe përziejeni me 1 filxhan sheqer. Në vazhdim, shtoni 3 lugë gjelle vaj ulliri dhe 1 lugë gjelle kripë. Trazojini mirë,  dhe në fund aplikojeni në trupin tuaj. Pas 15 minutash shplahuni me ujë të vakët.

Scrub trupi me kripë

 Ky lloj pastrimi më pëlqen shumë, është mjaft qetësues për lëkurën. Në një tas hidhni gjysmë filxhani kripë, 3-4 lugë gjelle vaj ulliri dhe 1 lugë gjelle rozmarinë të grirë hollë. Po të doni mund të shtoni dhe pak ekstrakt livandoje. Pasi ta keni përzierë masën mirë, aplikojeni në ato pjesë të trupit që dëshironi duke bërë masazh të lehtë. Pas 30 minutash shplahuni me ujë të vakët.

Scrub trupi me limon dhe sheqer të bardhë

Siç e dimë të gjithë, limoni ndihmon në pastrimin e lëkurës dhe shfaqjen e qelizave të reja, ndërsa sheqeri njihet si një nga përbërësit kryesorë për përgatitjen e shumë scrub-eve në kushte shtëpie. Në një tas hidhni lëngun e një limoni të shtrydhur dhe 1 filxhan sheqer. Pastaj shtoni gjysmë filxhani vaj ulliri dhe 1 lugë gjelle mjaltë. Përziejini mirë dhe patsaj përhapeni në trup duke e fërkuar lehtë. Pas 15-20 minutave shplahuni me ujë të vakët.

Scrub trupi me nenexhik

Ky lloj scrubi ka erë shumë të fortë për shkak të nenexhikut. Bëhet fjalë për një stimulues natyral që zgjon të gjithë trupin. Në një tas përzieni 2 lugë gjelle vaj esencial nenexhiku dhe 5-6 lugë gjelle vaj ulliri ose vaj fara rrushi. Pastaj, shtoni gjysmë filxhani sheqer duke i përzierë të gjithë përërësit bashkë. Në fund, aplikojeni në trup dhe fërkojeni butësisht me lëvizje rrethore. Shplahuni normalisht pas 30 minutash./AlbStroka.com/

Kalofshi një ditë sa më të bukur…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top