You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » ASKUSH NUK DO T’IA DIJË…

ASKUSH NUK DO T’IA DIJË…

Përktheu: Lorena Stroka, Roehampton University, UK

Slawomir Mrozek

Premë kangjellat dhe dolëm në oborr. Pastaj u ngjitëm në mur dhe u gjendëm në pyll.

Rendëm në mes të pyllit.

Shoku im rendte gjithnjë e më ngadalë.

- “Çfarë ke?”, e pyeta. “Të dhembin këmbët?”.

- “Jo”.

- “Pse nuk rend?”.

- “Sepse askush nuk po na përndjekë”.

- “Do na përndjekin sapo të kuptojnë që ia mbathëm. Luaj vendit, vrapo”, i thashë.

Përkundrazi, ai ndaloi krejtësisht.

- “Do të thuash se nuk e kanë marrë vesh?”

- “Natyrisht që jo. Pse rri i ngurtësuar aty? Hajde, shpejt”.

U ul poshtë një peme.

- “Askush nuk çan kokë”, tha trishtueshëm.

- “Po çfarë thua tani?”

- “Askush nuk interesohet. Askush nuk do t’ia dijë”.

- “Kush? Për kë?”

- “Në qoftë se do interesoheshin, do më ruanin më mire”.

- “Ndjen keqardhje për këtë?”

-  “Askush nuk na dha rëndësi, megjithëse paguhen për këtë. As që e vunë re ikjen tone”.

- “Do nisesh apo jo?”

- “Jo, për ç’arsye të arratisesh kur askush nuk të përndjekë? Pse të mundohesh kur askush nuk do t’ia dijë? Oh, ç’jetë!”

- “Atëherë, pse nuk kthehesh pas?”

U ngrit nga vendi dhe bërtiti: “Oh jo, jo kështu. Jam krenar. Nuk kthehem atje ku nuk më duan. Për mua vetmia është ekzistenciale”.

Ngadalë, me kokën lart, eci përmes pyllit. E ndoqa nga pas.

Nuk m’u duk e drejtë të ngutesha./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top