You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » MBRETI DHE FARKËTARI – MITE DHE LEGJENDA POPUJSH: AFRIKË

MBRETI DHE FARKËTARI – MITE DHE LEGJENDA POPUJSH: AFRIKË

Shkëputur nga libri: “Mite dhe legjenda popujsh: AFRIKË” – Lorena Stroka, Roehampton University, UK

Para shumë vitesh jetonte një mbret, i cili një ditë prej ditësh, thirri Gualukagën, udhëheqësin e punëtorëve të çelikut dhe e urdhëroi që t’i ndërtonte një njeri.

- “Por…”, vajti të thoshte farkëtari.

- “Nuk ka por…”,  e ndërpreu mbreti. “Këtu ke të gjithë hekurin që do të duhet. Ki parasysh se dua një njeri të gjallë, të marrë frymë, me gjak në trup dhe me tru në kokë”.

Gualukaga mori hekurin dhe u kthye në shtëpi i trishtuar.

Pyeti të gjithë shokët e tij, por asnjëri prej tyre nuk dinte se si ndërtohej njeriu i vërtetë. Këtë herë, ai e dinte mire se po të dështonte, dënimi për të dhe familjen e tij do të ishte shumë i rëndë, mbase dhe vdekja.

Një ditë ndërsa ecte dhe mendohej se ç’zgjidhje të gjente, takoi një mik të vjetër që ishte çmendur dhe jetonte i vetëm në shkretëtirë. Gualukaga i rrëfeu hallet e tij, dhe i çmenduri, i cili në të vërtetë nuk ish dhe aq i çmendur sa dukej – i tha se çfarë të bënte.

Duke pasur në vesh fjalët e të mençurit të marrë shkoi tek mbreti dhe i tha: “Para së gjithash, dua t’ju them se mund të bëj një njeri, por që të ndodh kjo, duhet të urdhëroni të gjithë nënshtetasit tuaj që të rruajnë kokat dhe të djegin leshrat e tyre, me qëllim që të mblidhen njëmijë ngarkesa me qymyr. Pastaj vëri të mbledhin njëmijë kova me lotë për të shuar zjarrrin që do të nevojitem për të krijuar njeriun. Sepse, siç e dini, qymyri i zakonshëm i drurit dhe uji i lumit nuk mjaftojnë për të ndërtuar një njeri”.

Mbreti veproi sipas fjalëve të Gualukagës. Të gjithë njerëzit rruajtën kokat dhe dogjën flokët e tyre, por doli vetëm një ngarkesë qymyri. Pataj të gjithë filluan të qanin derisa iu thanë sytë, dhe mblodhën vetëm dy kova me lotë.

Mbreti thirri përsëri Gualukagën: “S’është e nevojshme të ndërtosh një njeri”, i tha. “Për fat të keq, nuk arrita të mbledh as qymyrin dhe as lotët”.

- “Madhështi”, ia ktheu Gualukaga. “Më bëhet qejfi që nuk gjetët mjaft flokë dhe lotë, sepse të them të drejtën, as unë s’do ta ndërtoja dot njeriun./AlbStroka.com/

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top