You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SERUM PËR SY, FYTYRË DHE DEKOLTE NË KUSHTE SHTËPIE (EKSKLUZIVE)

SERUM PËR SY, FYTYRË DHE DEKOLTE NË KUSHTE SHTËPIE (EKSKLUZIVE)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Ditët e fundit vrisja mendjen se ç’gjë të re të sillja në faqe, përtej recetave antirrudhë, maskave rigjeneruese etj., etj. Hapa dollapin e veçantë, brenda të cilit ruaj të gjitha produktet që përdor për recetat e mia dhe nisa të rëmoja në të. Prapa raftit të parë më kapi bishti i syrit një kuti me vajra esencialë dhe vitamina që kisha porositur në vjeshtë, por që s’u kishte ardhur koha për përdorim, të paktën deri pardje…

Tani që moti po ndryshon dhe veshjet tona fillojnë të bëhen disi më zbuluese, duhet të kujdesemi pak më shumë për lëkurën tonë. Produkti më i rëndësishëm që ndihmon në këtë drejtim është çaji i gjelbër. Vaji Camellia dhe ekstrakti i lëngshëm i çajit të gjelbër janë dy përbërës/komponentë që mund të shtohen në çdo preparat kozmetik duke ofruar mbrojtje lëkure nga radikalet e lira. Falë kafeinës, polifenoleve dhe antioksidantëve që përmbajnë e rigjenerojnë lëkurën në thellësi.

Më poshtë po ju rendis përbërësit që do të nevojiteni për përgatitjen e një serumi për sy, fytyrë dhe dekolte.

Për 100 gr serum…

Faza A

50 gr lëng i zier lulemine (barishte e njohur për vetitë e saj anti-inflamatore)

1-2 gr xanthan gum

Faza B

30 gr vaj camellia

10 gr vaj rrushi (e pasur me acid linoleik)

7 gr ekstrakt çaji të gjelbër

1 gr pluhur ginseng siberian

1 gr shtesa ushqimore (aditive)

8 pika vaj esencial Myrrh

8 pika vaj esencial Benzoin

Përgatitja:

Zieni një grusht lulemine duke përdorur ujë mineral dhe kullojeni në letër filtri. Në vazhdim, shtoni 2 gr Xanthan Gum dhe trazojini mirë me rrahëse dore, derisa të formohet një tip xheli. Pastaj shtoni vajrat (jo esencialë) dhe ekstraktet. Në një sasi të vogël ujë lulemine tretni 1 gr pluhur Ginseng Siberian dhe hidheni në të duke e trazuar ngadalë. Në fund, shtoni vajrat esencialë dhe 1 gr shtesa ushqimore (aditive). Perzierjen ruajeni në shishe qelqi/plastike të posaçme për serum. Përdoreni çdo darkë para se të flini, përreth syve dhe pjesës së dekoltesë./AlbStroka.com/

Ju uroj një fundjavë sa më të këndshme…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top