You Are Here: Home » Të ndryshme » Uncategorized » DISI KËSHTU PO I KALOJ KËTO DITË…

DISI KËSHTU PO I KALOJ KËTO DITË…

Përshëndetje të gjithëve!

Këto ditë ndiej se jam bërë shumë përtace, gjë që është totalisht jashtë natyrës sime. Përgjithësisht ec me program… nuk pres që të bien petulla nga qielli. Luftoj për ato që dua, pavarësisht rezultatit përfundimtar. Mirëpo, këto dy javë në vend që të mbaroj detyrimet e lëna në mes, unë jam shtrirë për shtatë palë qejfe në divan duke shfletuar blerjet më të fundit, 9 libra të ndryshëm mes tyre. Kush? Unë që s’rri dot më shumë 15 minuta në një vend. Fakt që s’kaloi pa u vënë re nga partneri im: “Lorena, mos je gjë sëmurë?”, më pyeti. “S’e di, në qoftë se përtacia konsiderohet sëmundje, atëherë ka të ngjarë të jetë kështu si thua…”, iu përgjigja.

Më poshtë po ju përshkruaj në mënyrë të shkurtuar se përse flasin këta libra…

- “ZËRI I MËSUESIT”, “ENDACAKU”, “LOTË DHE TË QESHURA” – janë libra të poetit, filozofit dhe profetit të mirënjohur, Kahlil Gibran. Nga shumëkush është karakterizuar si Dantja i shek. XXI. Përmes veprave të tij, ai flet për martesën, hyjninë e njeriut, dijen, logjikën, dashurinë, barazinë etj., etj. Nuk i pëlqen të jetë thjesht përshkrues ngjarjesh, por guxon të japë akoma dhe shembuj zgjidhjesh. Veprat e tij janë përkthyer në më shumë se 28 gjuhë.

- “EUGENIE GRANDET” – Është një ndër veprat më të qëlluara të Balzak-ut. Eugenia është një engjëll tokësor që përfaqëson imazhin e bukur të gjinisë së saj. Është një femër me zemër fisnike, shpërfillëse ndaj botës materialiste dhe tepër e dhembshur me njerëzit. Një grua e braktisur dhe e mbytur në dhembje. Askush s’e deshi kurrë…

- “FJALORI HOMERIK” – Është një vepër voluminoze e hartuar nga Jan de Groot, dhe përbëhet nga 9.000 fjalë. I vjen në ndihmë çdokujt që vështirësohet të kuptojë fjalë apo shprehje të veçanta nga Greqishtja e vjetër, ose më saktë nga veprat epike të Homerit “ILIADA” dhe “ODISEA”.

- “JEZUSI, FATI YNË” – Është një libër me përmbajtje të thellë fetare. Tema fe këtu trajtohet ndryshe nga ç’ndodh rëndom.

- “ASTROLOGJIA ARABE” – Ëshë një botim shumë interesant. Nuk të tregon thjesht se cili/cila je tani, çfarë të shkon apo jo, por të zbulon të dhëna lidhur me origjinën e paraardhësve të tu (horoskopin, shtresën shoqërore), akoma dhe të ardhmen tënde shoqërore e profesionale.

- “BARCALETAT E NASTRADINIT” – Brenda 90 fletëve përshkruhen historitë më gazmore të Nastradinit. Me shumë prej tyre keni për të qeshur me lotë.

- “PASANIKU”, “DASHURIA DO DAJAK”, “LËVIZJE KOZMIKE”, “SHTËPIA E 4 VAJZAVE”, “MODELI I GRUAS SIME” – Janë 5 vepra teatrale, në pjesën më të madhe komedi, brenda të cilave keni për të dalluar personazhe të shumëllojshëm./AlbStroka.com/

Shpresoj të lexoni ndonjë pre tyre…

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top