You Are Here: Home » Mjekësi » Bukuri » SI TË ZHDUKËSH RRUDHAT E PARA (EKSKLUZIVE)

SI TË ZHDUKËSH RRUDHAT E PARA (EKSKLUZIVE)

© Lorena Stroka

Përshëndetje të gjithëve!

Ngaqë nesër do të kem një ditë goxha të zënë, dhe nuk do jem gjithë ditën në shtëpi, mendova t’ju postoj që sot recetën e një maske fantastike për eleminimin e rrudhave të para të fytyrës, të cilat  shfaqen rreth të 25-ve. Është pikërisht mosha, kur femra duhet të kujdeset akoma më shumë për veten e saj. Dhe kur them të kujdeset, nuk e kam fjalën të shkojë e të bëjë botox, buzë të fryra, gjinj plastikë dhe ekzagjerime të tilla. Por, të ushtrohet më shumë, të hajë më mirë (jo si sasi, por si cilësi), të bëjë kura bukurie, të krijojë stilin e saj në veshje, të bëhet më kreative në çdo drejtim.

Tani, për t’iu rikthyer temës së ditës, maska e mëposhtme nuk është një maskë e zakonshme, nga ato që figurojnë në çdo faqe interneti, por është tepër e veçantë dhe rezultative (sikurse të gjitha recetat që kam postuar deri tani në faqe, dhe kjo nuk është mungesë modestie, por realitet).

Përbërësit që do të nevojiteni

 2 lugë gjelle maja birre (pluhur)

2 lugë gjelle ujë të distiluar

1-2 lugë gjelle lëng karote

1 lugë gjelle lëng limoni

1 lugë gjelle vaj gruri ose lëng gruri (merrni një grusht grurë ziejeni për rreth 10-20 minuta, pastaj kullojeni dhe mbani lëngun e mbledhur).

Përbërësit e mësipërm nuk janë zgjedhur në mënyrë të rastësishme, pasi secili prej tyre ka veti të veçanta. Për shembull, komponenti kryesor, domethënë majaja, përmban vitamina D, E, B1, B2, B3, B5, B6, aminoacide dhe minerale që kontribuojnë në eleminimin e rrudhave. Nga ana tjetër, korota është e pasur me vitaminën A, e cila mbron dhe ngadalëson plakjen e lëkurës. Limoni, ka veti pastruese, ndërsa gruri ndihmon në rigjenerimin e qelizave.

Përgatitja

Në një tas hidhni të gjithë përbërësit e lëngshëm, pastaj tretni në të majanë e birrës. Përziejini mirë derisa të krijohet një brumë i trashë. Në qoftë se brumi është më i fortë nga ç’duhet shtoni pak ujë, dhe në rast se është më i ujshëm, shtoni pak pluhur majaje./AlbStroka.com/

Si ta aplikoni

Merrni përzierjen dhe përhapeni në të gjithë sipërfaqen e fytyrës dhe qafës. Lereni të veprojë rreth 20 minuta, pastaj shpëlahuni me ujë të vakët.

Sekrete shtesë: Në qoftë se keni lëkurë të thatë, shtoni pak vaj bajameje, dhe nëse keni lëkurë të yndyrshme, zëvendësojeni me lëng livandoje ose trëndafili.

MIQ/MIKESHA KALOFSHI NJË DITË SA MË TË BUKUR…

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top