You Are Here: Home » ENCIKLOPEDI + » ANTOLOGJI » JA PSE DASHURIA QUHET E VERBËR…

JA PSE DASHURIA QUHET E VERBËR…

Përktheu: Lorena Stroka, Roehampton University, UK

Një ditë u mblodhën në një vend të botës të gjitha emocionet dhe vlerat njerëzore.

Marrëzia pasi iu prezantua 3 herë Harresës e ftoi të luanin symbyllurazi. Interesi ngriti vetullën dhe mbante vesh, ndërsa Kureshtja e pa përmbajtur pyeti: “Çfarë është symbyllurazi?”

Entuziazmi filloi të vallëzonte me Euforinë ndërsa Gëzimi kërcente përpjetë me qëllim që të bindte Mëdyshjen dhe Apatinë që nuk donte t’ia dinte se ç’luanin të tjerët.

Kishte shumë që nuk donin të luanin: E vërteta nuk donte të luante se e dinte që do ta zbulonin. Mendjemadhësisë i dukej budallallëk dhe Frikacaku nuk donte të rrezikonte.

- “Një, dy, tre…”, filloi të numëronte Marrëzia.

Përtacia ishte e para, mirëpo ngaqë përtonte u fsheh pas shkëmbit të parë që hasi. Besimi fluturoi në qiell dhe Zilia u fsheh në hijen e Triumfit, i cili me forcën e vet arriti të ngjitej në majën e pemës më të lartë.

Bujaria nuk mundej të fshihej pasi çdo vend të mirë që gjente ia linte të tjerëve. Në fund u fsheh në një rreze dielli.

Egoizmi gjeti menjëherë një vend të mirë e të përshtatshëm për t’u fshehur. Gënjeshtra shkoi dhe u struk në fundin e Oqeanit. Pasioni dhe Dëshira u fshehën brenda një Vullkani.

Dashuria ende nuk kishte gjetur një vend për t’u fshehur. Të gjitha vendet ishin të zëna, derisa i zuri syri një ferrë me trëndafila.

- “…1000″, numëroi Marrëzia dhe nisi të kërkonte.

Të parën gjeti Përtacinë, s’qe fshehur larg. Pastaj Besimin që i fliste qiellit dhe Zotit për teologjinë. Ndjeu “ritmin” e Dëshirës dhe Pasionit në thellësi të vullkanit. Pasi zbuloi Zilinë s’ishte dhe aq e vështirë të gjente dhe Triumfin. Shumë lehtë gjeti edhe Mëdyshjen që ende s’kishte vendosur se ku të fshihej. Avash-avash i gjeti të gjithë, përveç Dashurisë.

Marrëzia kërkonte kudo, pas çdo peme, nën çdo gur, në çdo majë mali, por s’dukej askund.

Ishte gati të hiqte dorë kur befas u përballë me një shkurre me degë gjëmbore. Pa humbur kohë nisi ta tundte me nervozizëm derisa dëgjoi një klithmë dhembjeje.

Ishte Dashuria, sytë e së cilës ishin dëmtuar nga gjembat. Marrëzia nuk dinte se si ta bënte mirë, qante, kërkonte ndjesë dhe në fund  i premtoi se do të bëhej udhërrëfyesi i saj./AlbStroka.com/

Qysh atëherë Dashuria është gjithmonë e verbër dhe Marrëzia e shoqëron kudo.

© AlbStroka.com

Copyright © 2008-2017 AlbStroka.com

Scroll to top